Aktivisti Ilir Xhemalaj në një lidhje Live për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN zbuloi detaje në lidhje me Kuvendin Kombëtar që do të dalë nga sheshi i protestës para Kryeministrisë.
Në një intervistë për gazetarin Indrit Maraku, aktivisti tha se në total do të jenë të përfshirë 500-600 persona.
Ai theksoi se kushtet kryesore janë që anëtarët të mos kenë pasur funksione të larta në qeveri, opozitë, dhe të mos jenë përlyer në korrupsion. Xhemalaj vuri në dukje se asnjë nga deputetët nuk i përfaqëson dhe se nga Kuvendi do të përjashtohen edhe deputetët e partive të reja.
“Është ideja e një Kuvendi Kombëtar ose Asambleje Qytetare. Është një ide që ka dalë nga sheshi këtu, numri është më i madh, duhet të jenë diku te 500-600 veta, sepse duhet të përfaqësojnë të gjitha rrymat, të gjitha grupimet, që janë në këtë shesh. Është një Kuvend apolitik, nuk është se do të prodhojë ndonjë lëvizje, është një Kuvend ku mblidhen të gjithë qytetarët dhe të përpiqen të japin idetë e tyre për zhvillimin e Shqipërisë, apo Shqipërisë së re që ne e thërrasim në shesh. Kryesisht e kemi diskutuar si do zgjidhen anëtarët e Kuvendit, do ketë vend për përmirësime sepse është një Kuvend që bëhet në shesh. Kryesisht anëtarët e tij janë anëtarë që s’kanë pasur poste politike dhe drejtuese në administratën e kësaj qeverie, dhe njerëz të papërlyer me korrupsionin dhe tendera të ndryshëm. Një gurpim intelektualësh do të japin idetë e tyre në ngritjen e platformës së Shqipërisë së re. Parlamenti s’ka lidhje me ne, ky është një Kuvend qytetar. Ata deputetë janë të deligjitimuar. Nuk do të jenë as deputetët e partive të vogla. Nuk duhet të kesh pasur funksione të larta në qeveri, opozitë, dhe s’duhet të jesh i përlyer me korrupsion”, u shpreh aktivisti.
(A2 Televizion)