"Lini mandatin e deputetit dhe futuni në garë për Tiranën", ish-kandidatja, apel kupolës së PD: Merrni përgjegjësi

Nga A2 CNN
1 Tetor 2025, 21:22 | Politikë

Ilirjana Kuçana, ish-kandidate për deputete e Partisë Demokratike, në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli i bëri thirrje kupolës së PD-së që të marrë përgjegjësi dhe të futet në garë për Bashkinë e Tiranës.

“Unë kam konsideratë shumë të lartë për tre kandidatët e opozitës që janë përfolur për kryetar bashkie të Tiranës, por unë mendoj që në këtë garë, kur PD-ja ka nevojë për frymëmarrje, duhet të futet në garë një njeri politik dhe njeriu më i fortë politik në PD”, tha Kuçana.

“Kjo është garë shumë e rëndësishme. Një nga përfaqësuesit e kupolës së PD-së duhet të futet në garë sepse politika është risk dhe duhet të tregojnë shembullin. Duhet të lënë mandatin e deputetit dhe të futen në garë, duke treguar se janë të gatshëm për betejë. Karrigia nuk është luks personal”, shtoi ish-kandidatja për deputete e PD-së.

Kuçana theksoi se karrigia është betejë për demokratët që dalin në protesta.

“Ky është moment reflektimi të thellë dhe unë mendoj që njeriu më i fortë politikisht sot në PD duhet të futet në garë. Pse jo, edhe zoti Bardhi duhet të tregojë që për demokratët bën një sakrificë sepse është sakrificë të përballesh me të gjitha pushtetet që ka në dorë Edi Rama”, theksoi Kuçana. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos