''Lufta mes SPAK, Ramës dhe Veliajt'', Këlliçi: Kryeministri kërkon bllokim pasaporte, Veliaj në Zvicër si Ahmetaj

Nga Anesti Barjamemaj
28 Qershor 2024, 15:16 | Politikë

''Lufta mes SPAK, Ramës dhe Veliajt'',

Belind Këlliçi shfrytëzoi podiumin e protestës së 14 para Bashkisë së Tiranë, për të bërë publike disa dinamika në marrëdhëniet mes kryebashkiakut Erion Veliaj, kreut të qeverisë Edi Rama dhe SPAK.

Para mbështetësve të Partisë Demokratike dhe opozitës, Këlliçi tha se Rama ka kërkuar t’i bllokohet pasaporta Veliajt, por kreu i SPAK Altin Dumani nuk ka vepruar. Në lojë sipas anëtarit të Kryesisë së PD është futur edhe ish-numri 2 i qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili nga Zvicra ku po pret marrjen e statusit të azilantit politik ka ftuar Veliajn që të bëhet i penduari drejtësisë.

“Nga njëra anë është Edi Rama që ka dhënë urdhër t’i bllokohet pasaporta Veliajt, për të mos spiunuar nëpër kancelaritë europiane. Nga ana tjetër është Ahmetaj që i bën ftesë Veliajt sot në Zvicër të shkojë dhe të bëhet “pendito” dhe të flasë si Ahmetaj. Ne nuk tërhiqemi, qoftë Erion Veliajt në Zvicër tek Ahmetaj, a e zbaton apo jo Dumani urdhrin e Ramës, për ne pak rëndësi ka”, tha Këlliçi.

Teksa qartësoi se protesta para bashkisë nuk do të ndalet pavarësisht se është thirrur edhe një tubim kombëtar, Këlliçi tregoi një informacion që sipas tij i kishte ardhur nga brenda bashkisë së Tiranës.

“Shikoni pak në sistemin TIMS datën 14 korrik të vitit të kaluar. A ka udhëtuar Erion Veliaj së bashku me drejtorët e 5D për në Zvicër? Shikoni hotelet ku kanë ndenjur dhe a kanë shpenzuar 100 mijë franga vetëm për një fundjavë në Zvicër apo jo?! Që ta dini qytetarë, sot familjet në nevojë të pastrehën ata që nuk kanë mundësi financiare nuk mbyllin dot muajin, kurse ky hajdut ordiner me banditët e tij, me Taulant Tushën, me Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, Kapllanin, Malokun, Kaci dhe harxhonin 100 mijë franga në fundjavë!”, shtoi Këlliçi.

Edhe kjo protestë e 14-të u shoqërua me tensione, pasi opozitarët dogjën sërish goma para bashkisë së Tiranës.

Flakët e gomave mund të kishin shkaktuar edhe tragjedi pasi një prej protestuesve rrezikoi jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos