Lufta në Iran, Rama: Jemi me Izraelin dhe vendet vëllazërore arabe që kërkojnë paqe

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2026, 13:00 | Politikë

Lufta në Iran, Rama: Jemi me Izraelin dhe vendet vëllazërore

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një deklaratë në platformën X, pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit, duke kërkuar që Garda Revolucionare Islamike e Iran të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste.

Rama thekson se është “koha për të prerë litarin dhe për të shkuar drejt e në thelb”, duke argumentuar se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike duhet të trajtohen si organizatë terroriste jo vetëm përmes sanksioneve ndaj regjimit të Teheranit, por edhe përmes listimit formal në të njëjtin nivel me organizatat e tjera terroriste, ashtu siç kanë vepruar tashmë SHBA dhe Kanadaja.

Sipas tij, qëndrimi i Shqipërisë nuk lidhet vetëm me mbështetjen ndaj Izraelit dhe vendeve arabe që kërkojnë paqe, apo me faktin se mbështet SHBA në mbështetjen ushtarake ndaj Izraelit nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump.

Rama përmend edhe qëndrimin e BE, duke theksuar se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nënvizuar sërish natyrën “vrasëse” të regjimit të Teheranit.

Kreu i qeverisë shqiptare thekson se për Shqipërinë kjo çështje nuk është thjesht gjeopolitikë abstrakte, por siguri kombëtare konkrete, duke kujtuar sulmet kibernetike të regjimit iranian ndaj vendit tonë.

“Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë qëndrim. Do ta quajmë Gardën Revolucionare atë që është dhe do ta listojmë si organizatë terroriste”, deklaron Rama, duke u bërë thirrje edhe vendeve evropiane të ndjekin të njëjtin hap.

Në fund të mesazhit, ai thekson se Shqipëria mbështet çdo përpjekje vendimtare për të ndaluar regjimin në Teheran që të sigurojë kapacitete bërthamore apo të tjera ushtarake për të dëmtuar Izraelin apo vende të tjera paqedashëse në Lindjen e Mesme.

“Terrorizmi duhet të quhet me emër. Dhe sapo të quhet, duhet të ndalet”, përfundon Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos