“Luftë oligopoleve”, Berisha porosi deputetëve: Duhen anëtarësime të reja në parti

Nga Anesti Barjamemaj
1 Prill 2026, 16:11 | Politikë

Partia Demokratike do të ndërmarrë luftë frontale ndaj oligopoleve. Këtë deklaroi Sali Berisha gjatë mbledhjes me deputetët, duke pohuar se demokratët do të jenë në krah të qytetarëve, në një kohë kur këta të fundit po përballen me çmime të shtrenjta çdo ditë.

 “Ndaj dhe një nga drejtimet e punës sonë dhe përpjekjet tona do të jetë mbrojtja e qytetarëve nga oligopolet. Absolutisht ne nuk jemi kundër bizneseve, kurrë; ne jemi partia më pro-biznes.”

Berisha e ka të qartë që, për të realizuar këto premtime, i duhet fillimisht të rikthejë PD-në në pushtet. Ndaj, porosia tjetër për deputetët ishte rritja e anëtarësimeve të reja në parti, duke u kujtuar se puna e gjithsecilit do të matet.

 “Detyra më e rëndësishme sot janë anëtarësimet e reja. Unë bëra edhe dje një mbledhje me drejtuesit politikë dhe koordinatorët, por secili prej jush është i ftuar të kontribuojë në mënyrën më serioze që mundet për anëtarësime të reja. Është jetik për PD-në ky proces. Është gjithashtu një tregues në vlerësimin e punës së gjithsecilit. Duhet ta marrim në mënyrën më serioze.

Një thirrje kishte edhe për qytetarët që t’i bashkohen protestës së 17 prillit.

Edhe njëherë, u bëj thirrje shqiptarëve: më datën 17, të gjithë në protestë, në kryengritjen paqësore si zëri i vetëm në Shqipëri. Në Shqipëri ka mbetur vetëm zëri i qytetarëve për t’i dalë zot vetes.”

Sipas Berishës, qytetarët duhet të dalin në protestë pasi është bllokuar integrimi i vendit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos