
Partia Demokratike kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e AKSHI-t. Sipas Gazment Bardhit kjo është vendosur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Në një postim në Facebook, Bardhi thekson se gjithashtu grupi i PD kërkon edhe vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve. Sipas tij kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik
“Sot Grupi Parlamentar ndër të tjera vendosi që të kërkojë ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, përfshirë analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s”, shkruan Bardhi.
Sipas tij kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për funksionimin demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik, teksa i bën apel mazhorancës të mos pengojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie.
“Kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik. Si një e drejtë kushtetuese e opozitës, apelojmë mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të mos pengojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie”. (A2 Televizion)