“Luli ka lindur për influencer”, Rama: PD e Bashës në 2021, më e forta ndonjëherë

Nga A2 CNN
20 Mars 2025, 23:56 | Politikë

Në një takim në mbrëmje me shtabin elektoral të PS në Njësinë 2 në kryeqytet, kryeministri Edi Rama tha se Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ka qenë më e forta që ai është përballur ndonjëherë.

Duke krahasuar PD e drejtuar tani nga Sali Berisha me atë të Bashës, Rama tha se me listën e 11 majit, opozita nuk i arrin dot votat që ka marrë në 2021, pasi ai ishte niveli i tyre më i lartë.

Rama nuk kurseu as ironinë me Bashën, e duke iu referuar “flirtit” të tyre rishtar në rrjetet sociale, tha se rivali i tij  ka lindur për të qenë influencer e jo politikan.

“Këta të Lulit. Tani që u ngjall Luli.. Mezi e ngjalla dreqin. Ishalla s’po ma zë gjumi rrugës. Ai për influencer ka lindur jo për politikë, por e mori rrota e historisë dhe I ngeli në dorë. Megjithatë nga 2013 deri në 2023 Partia e drejtuar prej tij në 2021 ka qenë më e forta që unë kam parë. Në raport me vetveten aty ata kanë qenë më të organizuar se çdo herë tjetër. Në 2023 ishin ‘Estrada e Ballshit’, në 2021 ishin më mirë se asnjë herë tjetër. Nuk kanë për të arritur ata rezultatin e artistit. Me thënë të drejtën. Është e vërtetë. Plus që po të shohësh lista e tyre e mbyllur është listë për opozitë. Bufi futi të gjithë faunën e ngushtë dhe e mbylli. Ata do të jenë si sahatët e vjetër që vjen ora e del bufi.. kuku kuku.. e mbyllet dera. Nuk ka aty deputeti që duam. U futën të shkretët në primare, thanë erdhi demokracia, por më pas e panë veten të hedhur ca në kënetë e ca jashtë. Këneta nuk rritet asgjëkundi krahasuar me 2021. Që nga 2015 e këtej është niveli më i lartë që mund të arrinte këneta. Ata nuk marrin më. Harroje”, tha Rama.

Pas ftesës që i bëri për t’ju bashkuar Partisë Socialiste, kryeministri pati një tjetër mesazh për Dashnor Sulën, duke vendosur theksin te pesha e tij elektorale si individ në Peqin.

“Dashi nuk është i kënetës, është gjel deti. Nuk e mbante dot këneta Dashin. Ai është gjel deti me garderobë më vete. Në Peqin ka respektin e njerëzve”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos