Pas 24 orësh, kryebashkiaku i Tiranës në detyrë Erion Veliaj tërhiqet nga urdhri që firmosi vetë, duke i rikthyer kompetencat e drejtimit të bashkisë tek Anuela Ristani.
Një ditë më parë Veliaj nga qelia urdhëroi që komandimin ta merrte nënkryetarja tjetër Sara Goxhaj, duke shfuqizuar vendimin e 11 shkurtit me të cilin postin ia besoi Ristanit. Këto lëvizje të papritura të kryebashkiakut Veliaj kanë hasur në rezistencën e kryeministrit.
Sipas burimeve mbrëmjen e së mërkurës në prani të 5 nënkryetarëve dhe stafit të bashkisë Rama ka mbështetur qëndrimin e Anuela Ristanit si drejtuese e komanduar.
Pasdite Erion Veliaj e quajti gjithë situatën një keqkuptim nga mungesa e informacionit në qeli. Ai thotë se vendimin e mori pasi kishte menduar se ka dakordësinë e ekipit të bashkisë për delegimin e ri, por tani çdo gjë kthehet si më parë.
Veliaj mohon të ketë konflikt me kryeministrin Edi Rama, madje thotë se ka vetëm mall për të dhe se raportin e tyre nuk e dëmton asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë ajo.
Erion Veliaj është nën masën e sigurisë arrest me burg me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua në bazë të një hetimi të SPAK nën akuzën për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. (A2 Televizion)