Manja përplaset edhe me Gjiknurin, deputeti socialist braktis komisionin bashkë me kolegët e PD

Nga A2 CNN
14 Korrik 2026, 14:37 | Politikë

Nuk kanë munguar debatet në komisionin parlamentar të ligjeve, ku u diskutuan ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore.

Demokratët kërkuan saktësim në një prej neneve, madje, sipas tyre, do të shërbente edhe në afatgjatë:

“Bashkë me kolegun Gjiknuri, po kërkojmë sqarim”, tha Strazimiri.

Manja u përgjigj: “Nuk keni për të sqaruar kurrgjë. Tani e gjetët lepurin në ferrë ju të tre sot. Në rregull. Tani, kush është dakord në tërësi me projektligjin?”.

Me argumentin se pika ishte tejkaluar, kryetari i komisionit, Ulsi Manja kundërshtoi edhe socialistin Damian Gjiknuri për të vijuar diskutimin mbi temën. Ndërsa demokratët nisën largimin nga salla duke mos marrë pjesë në trajtimin e drafteve të tjera.

Gjiknuri: Do ma japësh fjalën apo të iki fare?

Manja: Po ik, shko. Merru me Oerdin.

Për shkak se nuk iu lejua fjala, gjithashtu Gjiknuri vendosi të largohet nga komisioni, ndërsa nuk munguan replikat me Ulsi Manjën. Pavarësisht situatës, Komisioni i Ligjeve vijoi diskutimet me pjesëmarrjen e deputetëve të tjerë të mazhorancës socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos