Masa e arrestit për kreun e SHISH, Berisha risjell denoncimet dhe kërkon dorëheqjen e Ramës

Nga Anesti Barjamemaj
22 Shtator 2026, 14:39 | Politikë

“Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky”. Për Sali Berishën masa e arrestit ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyeni, nuk është rrufe në qiell të hapur. Nga selia blu, Berisha kujtoi të gjitha denoncimet e bëra në vite kundër saj, duke pohuar se SPAK dhe GJKKO me vendimet e fundit kanë faktuar të gjitha akuzat e artikuluara prej tij.

“Miqësia e kryetares së SHISH me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga kjo platformë. Kemi paralajmëruar se shtrirja e kontrollit dhe influencës së këtij mafiozi mbi shërbimin informativ kombëtar nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin, e njohur tashmë si agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit, lë dyshimet më të mëdha për infektimin e këtij institucioni”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe masë arresti ndërkombëtar për Vlora Hysenin, por kur pyetet  nëse do të kërkojë opozita mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pohon se nuk ka besim te Presidenti Begaj.

“Çfarë të thërrasë ai? Nuk ka gjë më qesharake. Ta dinë shqiptarët që ai vetë përbën një anëtar vullnetar të kësaj organizate kriminale. Të gjitha këto, unë i kam denoncuar publikisht këtu, dhe Haram Begaj ka bërë të mosqenurin”, shtoi kreu i PD.

Këto zhvillime kanë bindur Berishën për të ndryshuar strategji në betejën kundër mazhorancës, por skenarin se çfarë do të bëjnë e mban sekret. “Të jeni i sigurt që PD në këtë situatë do të rishqyrtojë tërësisht rrugën që do ndjekë në situatën e krijuar. Plotësisht! Para shqiptarëve dhe botës kjo është një bandë kriminale në pushtet dhe ne do marrim vendimet e duhura”.

Kur pyetet nëse do të thërras protestë, nuk e përjashton si mundësi. “Të gjitha do të shqyrtohen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos