
Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në institucionet e sigurisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Në një postim në rrjetet sociale Lapaj pretendon se drejtuesja e SHISH është vendosur nën masë sigurie personale për shkak të dyshimeve për lidhje me veprimtarinë kriminale të Ergys Agasit, ndërsa ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll.
Duke i cilësuar këto zhvillime dëshmi të një krize të thellë institucionale, Lapaj ngre pikëpyetje nëse mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme në këto kushte.
Ai kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza.
Postimi i plotë i Adriatik Lapajt:
Çdo ditë e më shumë po del qartë e vërteta e bandës që ka marrë peng vendin.
Sot, drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror është vendosur nën masë sigurimi personal pasi dyshohet se i ka shërbyer Ergys Agasit në veprimtarinë e tij kriminale. Gjithashtu ndaj ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll.
Si mund të vazhdojë jeta e të bashkëjetojmë në një "Republikë" ku shteti është i gjithë në antiligjshmëri?
A mund të ketë zgjedhje me këta bandit?
Ndaj, dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie tranzitore për zgjedhje të lira dhe të ndershme është e vetmja rrugë për të dalë nga kriza.
I kam bërtitur këto të vërteta prej vitesh kur heshtja ishte modë në këtë vend. Nuk ishte e lehtë, por ishte detyrë kombëtare! (A2 Televizion)