Mbahet në Tiranë samiti SEECP, Shqipëria përkrah Izraelin, kritika Iranit për armët bërthamore

Nga Arestina Skënderi
16 Qershor 2025, 14:09 | Politikë

Tirana organizoi Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore, i njohur me siglën SEECP, që shënoi edhe përmbylljen e presidencës shqiptare. Ministri Ilgi Hasani përsëriti ambicien e vendit për anëtarësim në BE brenda kësaj dekade, si dhe theksoi mbështetjen e vendit tonë ndaj të drejtës së Izraelit për mbrojtje. Po ashtu, ai i bëri thirrje Iranit të ndalojë aktivitetet bërthamore, shkruan A2 CNN.

Tirana bëri bashkë të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve të Europës Juglindore, në një aktivitet që shënoi përmbylljen e presidencës shqiptare të SEECP-së. Fjalën hapëse të samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore e mbajti ministri Ilgi Hasani, i cili u ndal te bashkëpunimet rajonale të arritura deri më tani, ndërsa përsëriti ambicien e Shqipërisë për t’u integruar në BE brenda kësaj dekade.

Sinkron: “Synimi ynë është ambicioz, por edhe i arritshëm: për të çelur kapitujt deri në fund të këtij viti dhe për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade. Ky është një objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë.”

Përplasja ushtarake në Lindjen e Mesme ishte gjithashtu pjesë e fokusit të tij, teksa shefi i diplomacisë shqiptare bëri të qartë se Tirana zyrtare mbështet të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur, ndërsa i bëri thirrje Iranit të ndalojë aktivitetet bërthamore.

Sinkron: “Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimet. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të të drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.”

Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos