Kryeministri Edi Rama është shprehur se ai vijon të jetë deputet i Vlorës, megjithëse nuk është në listën e kandidatëve të këtij qarku.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me kandidatët për deputetë të PS në Vlorë, ku tha se deri sa të mbyllë sytë, Vlora për të do të mbetet një vend ëndrrash.
Ai tha gjithashtu se politika i ka një borxh ta madh vlonjatëve dhe sipas tij, nuk ka arsye që qytetarët e Vlorës të mos jenë të kënaqur me mundësitë që u jep ai vend.
“Jam apo s’jam në listën e Vlorës, unë jam deputet i Vlorës. Deri kur të mbyll sytë Vlora për mua do të jetë ajo që ka qenë kur kam mësuar notin. Një vend ëndrrash edhe një vend ku fuqia e ëndrrave duhet të jetë ajo që i çon para njerëzit.
Një vend i bekuar nga Zoti, si gjithë Shqipëria, por me veçoritë e veta nga Zoti, për t’u bërë vendi që s’ka asnjë arsye që kush jeton këtu të jetë jo vetëm krenar, por edhe i kënaqur me mundësitë që u jep ky vend”, tha Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)