“Mbyllim fondacionin”. Berisha: Soros do ta shpallim non grata në Shqipëri, Rama në azil

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2024, 15:09 | Politikë

Vota e amerikanëve për Donald Trump, duket se frymëzon Sali Berishën për të goditur George Sorosin, njeriun që thotë se e persekuton përmes drejtësisë dhe shpalljes non-grata. Në një konferencë për mediat, Berisha pohoi se amerikanët ne 5 nëntor i dhanë një goditje të fuqishme rivalit të tij dhe premtoi se me ardhjen e tij në pushtet do të bëjë të njëjtën gjë në Tiranë me përfaqësuesit e Soros.

“Është një betejë jo e lehtë, por natyrisht shqiptarët nuk do kenë më çdo dy javë mysafir të paftuar për shumicën e tyre, kryemafiozin Aleksis Soros. E garantoj Aleksis Soros se në aktet e para, fondacioni i tij do mbyllet njëherë e përgjithmonë në Shqipëri dhe ai do shpallet non-grata”, tha Berisha.

Kryeministrin Edi Rama e paralajmëroi se nga SHBA do të marrë lajme të këqija, sa i përket çështjes McGonigal. Ndërkohë i mëshon spekulimeve dhe tregon se Edi Rama po planifikon azilin. “Të dhënat janë se ai ka parashikuar një ekzil diku sepse e di që do jetë ‘wanted’ jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe drejtësia e vendeve të tjera. Mund të shkojë edhe te Lukashenko, se i lidh Alabari me Lukashenkon”, tha Berisha.

Teksa u ndal te projektbuxheti që po diskutohet në Kuvend, Berisha premtoi se programi ekonomik i PD do të fokusohet tek ulja e taksave dhe liria e biznesit. “Ne garantojmë biznesin se përgjysmimi i taksave mbetet shtyllë kryesore e programit tonë”.

Lideri i Partisë Demokratike përsëriti ftesën për bashkëpunim me të gjithë faktorin opozitar, duke theksuar se armiku i të gjithëve duhet të jetë Edi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos