Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Sali Berisha riktheu edhe njëherë akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me shtëpinë e tij të ndërtuar në zonën e Surrelit.
Sipas Berishës, Rama ka shkelur ligjet dhe ka gënjyer teksa ka thënë se tokën e ka blerë shumë herë më lirë nga sa ajo kushton me të vërtetë, teksa shton se ndërtimi i vilës nuk justifikohet me librin që kryeministri ka botuar disa vite më parë.
“Nuk pranon të hetohet Edi Rama për sarajet e tij, të cilat janë ndërtuar në një tokë që ai pretendon se e ka blerë me 1.5 dollarë, në një kohë kur toka kushtonte minimumi 20 dollarë në atë zonë.
Por ky është vetëm një aspekt. Aspekti tjetër antiligjor i hapur është se ajo tokë nuk mund të blihej për qëllimet që e ka blerë Edi Rama. Pra, ka shkelur ligjet.
Edi Rama nuk mund të pranojë të hetohet për sarajet e tij, 57 metra të gjatë themelet, të cilat ai i ndërtoi kur kishte të deklaruar në ILDKP, gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë të reja.
Edi Rama nuk pranon të hetohet sepse nuk ekziston asnjë burim transparent me se u ndërtuan sarajet. E shoqja deklaroi se është ndërtuar me paratë e ‘Kurbanit’, ndërkohë që për ‘Kurbanin’ nuk ekzistonin fatura tatimore, fatura bankare, fatura ndërtimore”, tha Berisha.
(A2 Televizion)