Partia Demokratike denoncoi para SPAK përfshirjen e ish-drejtorit të Inceneratorit të Tiranës, Elton Bualli, në një skemë tjetër korruptive.
“Ky individ ka marrë 50 mijë euro hua nga ITS e Klodian Zotos, për të blerë një truall në landfillin e Sharrës dhe për të aplikuar përmes Stela Gugalljas në AZHBRR dhe për të përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD. Paratë që duhet të merrnin fermerët i ka marrë drejtori i Inceneratorit të Tiranës, bashkë me Stela Gugalljan, për të ndërtuar një serë, e cila ende sot që ne flasim vijon të mos sekuestrohet nga SPAK. Nuk e di sa prova duhet të sjellim”, tha Këlliçi.
Këlliçi e quajti aferën më të madhe korruptive në vend atë të Inceneratorit të Tiranës. “Sigurisht kreu i kësaj organizate kriminale është Erion Veliaj”, shtoi Këlliçi.
Ndërsa Klevis Balliu i cili shoqëronte Këlliçin në këtë denoncim, shtoi me ironi: “Sipas Dumanit këto janë krime intelektuale dhe shumë të vështira, ja kemi bërë gati Dumanit se si vidhet. Këta mbrojnë pronarin faktik të inceneratorëve, Erion Veliajn. Ka vetëm një formë për të ndaluar aferën e inceneratorëve, arrestimi i Erion Veliajt”. (A2 Televizion)