Hetimi për të dhënat e TIMS, komisioni mbyll punimet. Dërgon dy raporte në Kuvend

Nga Marjo Brakaj
23 Korrik 2024, 23:16 | Politikë

Me forcën e kartonit në anën e tyre, të mbështetur te shumica e përfaqësuesve në komision, socialistët “i thanë jo” propozimit të opozitës për një raport të përbashkët. Pas përmbylljes së punimeve të komisionit hetimor për ndërhyrjen në sistemin TIMS, në Kuvend do të dërgohen dy raporte, një i opozitës dhe një tjetër i shumicës qeverisëse. 

Toni Gogu, nënkryetar i Komisionit Hetimor TIMS, tha: “Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa më parë në formën e legjislacionit, i cili do t'i nënshtrohet shqyrtimit në Parlament”.

Ndjeshëm më të ashpra ishin gjetjet dhe rekomandimet e demokratëve në raportin përfundimtar pas përmbylljes së punimeve të komisionit hetimor. Ervin Salianji tha: “Nga dokumentacioni i administruar dhe dëshmitë e marra nga Komisioni Hetimor ka rezultuar se zoti Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për t’u emëruar në detyrën e Drejtorit të Departamentit të IT-së. Konkretisht, ky shtetas ishte proceduar penalisht për falsifikim dokumentesh në shtetin italian në vitin 2007, ishte refuzuar leja e qëndrimit në vitin 2008, nuk kishte plotësuar formularin e dekriminalizimit, nuk kishte kryer trajnimet e detyrueshme në Akademinë e Sigurisë.”

Pjesë e punës së komisionit, ekspertët zgjodhën të mos komentonin asnjë nga gjetjet: “Ligji nuk na lejon që të bëjmë interpretim të gjetjeve të raporteve”.

Në cilësinë e kryetarit, demokrati Ervin Salianji nuk e fshehu zhgënjimin nga socialistët pjesë të komisionit, por duke shfaqur më shumë pristhmëri për pjesën tjetër të kolegëve të tyre në Parlament: “Raporti jonë do t’i bashkëngjitet në seancë plenare si mendim pakice. Shpresoj shumë që mbase mund të ketë kolegë të tjerë aty në anën e ligjit”.

Demokratët e socialistët nuk gjetën gjuhën për të dalë me një raport të përbashkët, por pyetja për një pagë shtesë si pasojë e orëve jashtë orarit i gjeti duart e të gjithë deputetëve të pranishëm të ngritura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos