Vula e partisë, Basha depoziton rekurs në Gjykatën e Lartë

Nga A2 CNN
23 Korrik 2024, 18:59 | Politikë

Vula e partisë, Basha depoziton rekurs në Gjykatën e Lartë

Në limite të afatit 5-ditor pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit, Lulzim Basha ka depozituar rekursin në Gjykatën e Lartë për vulën e partisë.

Rekursi prej 69 faqesh është hartuar dhe firmosur nga sekretarët e PD, Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa.

Tashmë, mbështetësit e Lulzim Bashës që tashmë quhen demokratët euroatlantikë, kërkojnë hedhjen poshtë të vendimit të Gjykatës së Apelit, të datës 11 Qershor 2024.

"Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, depozitoi sot rekursin ndaj vendimit skandaloz të 11 qershorit.
Ne nuk e pranojmë paligjshmërinë, as nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë.
Vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjëve të SPAK, partia e parë properëndimore e Shqipërisë nuk mund të jetë streha e problemeve personale të një individi në konflikt me perëndimin, votat e demokratëve nuk mund të përdoren për allishverishet mes qeverisë dhe teatëropozitës për t’i dhuruar pushtetin në tavolinë Ramës, duke mbyllur listat dhe duke shkatërruar Reformën Zgjedhore.
Shqipëria meriton më shumë", lexohet në postimin e Demokratëve Euroatlantikë në Facebook. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos