Në një kohë kur SPAK ka nisur një hetim për inceneratorin e Tiranës, kreu i grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi se Erion Veliaj është kryetari i Bashkisë më i suksesshëm që ka pasur PS. Sipas tij, ky është qëndrim i gjithë grupit të PS.
Teksa gazetarët e pyetën nëse e cilësonte si më të suksesshëm se vetë Edi Rama, Çuçi u “vetëkorrigua” duke thënë se e kishte fjalën për vitet e fundit që kur PS-ja ishte në pushtet.
“I vetmi qëndrim njëzëri është që Erion Veliaj është kryetari i Bashkisë më i suksesshëm që PS ka pasur dhe transformimi historik i Tiranës është një realitet që nuk mund ta bëjë pis çfarëdolloj balte që mund të hidhet mbi figurën e kryetarit, jemi të nderuar që kemi zgjedhur nga gjiri jonë, nga pjesa jonë një kryetar Bashkie që nderon jo vetëm Tiranën, por përtej Shqipërisë çdo socialist, por edhe çdo tirons apo tirans, apo tiranas, apo prej tirone, me vepra dhe jo fjalë”, tha ai.
Sa i përket hetimit të SPAK, ai tha se socialistët në këtë drejtim janë të qartë.
“Çështjet e tjera lidhen me organet ligjzbateuse, ne i japim mbështetjen absolute. Duhet të presim, të mos nxitohemi, por të presim fjalën e fundit të drejtësisë”, përfundoi Çuçi. (A2 Televizion)