Nga qelia e paraburgimit, Ilir Meta reagoi mbi akuzat penale të ngritura ndaj tij, duke i cilësuar si dosje të fabrikuar. Në një postim në rrjetet sociale, Meta nënvizon se asnjë akuzë penale nuk është e provuar, duke akuzuar edhe ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi si shkaktare të pozitës në të cilën ndodhet.
Ilir Meta theu heshtjen duke reaguar në rrjetet sociale mbi arrestimin e tij. Një javë prapa hekurave ishte kohë e mjaftueshme për të për të studiuar dosjen hetimore të SPAK dhe për të dhënë në publik qëndrimin e tij, duke filluar me arrestimin.
“Rrëmbimi i Ilir Metës nga mafia në pushtet, me urdhër të tre mercenarëve të saj, Altin Dumani, Arben Kraja edhe Sotir Kllapi, u bë me qëllim që të më pamundësojë sa më shumë mbrojtjen në publik, në media e debate nga akuzat qesharake dhe të stisura të cilat nuk përmbajnë asnjë fakt apo provë penale kundër meje”, shprehet Meta, shkruan A2 CNN.
SPAK pretendon për një marrëdhënie korruptive ndërmjet Kastriot Isamilajt dhe Ilir Metës për çështjen CEZ-DIA duke pretenduar se në vitin 2010 Meta ka ndikuar që Ismailaj të merrte kontratën nga CEZ për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura kundrejt përfitimeve financiare. Por, këto qëndrime Meta i konsideroi si të pavërteta, duke akuzuar Dumanin për fabrikim provash: “Për 4 vite Dumani bëri çdo përpjekje për t’i marrë deklarime të rreme Kastriot Ismailit në burg kundër meje, por nuk ia arriti qëllimit. Këtë e dinë të gjithë në burgun e Fierit dhe SPAK. Në pamundësi për të provuar një fakt penal nga kjo çështje, SPAK lëshoi plot delinkuentë për të bërë kallëzime të tjera pafund për çështjen e lobingjeve, të deklarimit të pasurive, të çështjeve shëndetësore etj”.
Dosja hetimore flet për disa ndërhyrje mjekësore të Ilir Metës në Vjenë në vitet 2013 dhe 2014, me para të padeklaruara. Por, edhe në këtë rast meta shfajëson veten duke treguar me gisht se kush e ka fajin: “Më duhet të sqaroj se kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit. Pastaj, çdo gjë tjetër ishte vetëm një makinacion për të më veshur mua përgjegjësi që nuk më takojnë, pasi në procesin e deklarimit të pasurisë apo shpenzimeve shëndetësore dhe mjekësore merrej ish-gruaja ime në mirëbesim të plotë, duke patur edhe avokatin dhe noteren për këto çështje, por edhe shumicën e pronave”.
167 faqet e dosjes Meta i konsideron si fabrikime me qëllim dëmtimin politik të tij dhe i kërkoi publikisht strukturave të partisë të ndëmarrin një aksion kundër saj.
“Si përfundim për sot, e gjithë Fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit”, shkruan Meta në Facebook.
Ilir Meta u arrestua mesditën e 21 tetorit nga agjentët e BKH dhe prej një jave është nën hetim në masën e sigurisë të arrestit me burg. (A2 Televizion)