Protestë si në Strasburg. PD nxjerr pankartat, lë socialistët të flasin në Parlament

Nga Ervin Koçi
28 Tetor 2024, 19:11 | Politikë

Pa debate e pa përplasje, seanca plenare e kësaj të hëne hodhi hapin e parë drejt normalitetit. Opozita vijoi mosbindjen civile me akte më të zbutura, duke lejuar fjalimet, por jo foltoren, ndërsa socialistët duket se u gjetën të papërgatitur duke mbyllur punimet në 20 minuta.

Pas një muaji në Parlament, u arrit të flitej. Demokratët morën vendimin për të mos bllokuar seancën plenare dhe u paraqitën me standarde europiane. Me pankarta në duar e me moton “Lironi Berishën”, ata bllokuan foltoren, por jo mikrofonat.

Në seancë ishin regjistruar për të folur 7 deputetë, mes të cilëve edhe dy opozitarë, Vangjel Dule dhe Dashamir Shehi, por përballë një foltoreje të bllokuar dhe një zhurmuesi të ndezur, preferuan të kalonin radhën.

Fjalimet e socialistëve ishin pa axhendë, duke ngritur shqetësime të ndryshme, që nga indeksimi i pensioneve deri tek ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. E teksa socialistët flisnin, demokratët dëgjonin.

20 minuta mjaftuan për t’i dhënë fund kësaj seance plenare, ndërsa demokratën preferuan mikrofonat e mediave sesa ato të Parlamentit për të dhënë qëndrimin e tyre.

Seanca e radhës është të enjten, por deri atëherë demokratët kanë një aksion për të bllokuar akset rrugore të martën pasdite, veprim i cili duket se ka marrë fokusin e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos