“Mezi pres”, deputeti socialist: Ja kur është gati raporti për imunitetin e Ballukut

Nga A2 CNN
3 Mars 2026, 21:32 | Politikë

Vendimi për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut në Partinë Socialiste do të merret pasi të përfundojë raporti i Këshillit të Mandateve. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN deputeti socialist Eduart Shalsi, sipas të cilit, raporti mund të jetë gati në fillim të javës.  

“Ne jemi duke pritur raportin. Kam përshtypjen që besoj në fillim të javës do ta kenë gati edhe pjesa e specialistëve. Unë nuk jam jurist, nuk jam i përfshirë direkt në hartimin e raportit. Mezi pres ta lexoj, ta shoh dhe pastaj do të merret vendimi”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ndërkohë Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend raportin ku në 6 pika argumentoi se përse Kuvendi duhet të pranojë kërkesën SPAK-ut dhe të votojë prop heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut.

Ndërsa sot Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin për Belinda Ballukun, duke lënë në fuqi pezullimin e saj dhe duke argumentuar se masa e vendosur nga GJKKO nuk kërkon autorizim nga Kuvendi dhe nuk përfshihet në garancitë e imunitetit. Sipas trupës gjykuese, imuniteti nuk mund të shndërrohet në mbrojtje absolute ndaj juridiksionit penal, ndërsa dy anëtarë në mendim paralel theksuan se pezullimi është kompetencë ekskluzive e gjykatës dhe nuk mund të sfidohet nga pushtete të tjera.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos