Partia Socialiste ndodhet në një nga momentet më të vështira në këto muaj të mandatit të katërt, që sipas gazetarit Lutfi Dervishi nuk ka arritur të përçojë mesazhe qeverisëse por mesazhe mbijetetse. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Dervishi theksoi se brenda shumicës ekziston një mendësi e rrënjosur se ligji është i vlefshëm për të tjerët, por jo për veten.
“Mesazhe mbijetese në kuptimin e raportit me organet e drejtësisë. Janë mesazhe të dyfishta edhe nga mbledhja e grupit parlamentar bashkë me ministrat. Në një anë është kritik ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, e cila buron nga mentaliteti i rrënjosur në klasën politike shqiptare që ligji është shumë i mirë, por s'ka punë me mua. E dyta vjen nga fakti që ne e kemi bërë reformën dhe argumenti i tretë është që ne e kemi popullin me vete, kemi 83 mandate. Domethënë brenda kësaj mendësie për shumicën është e papranueshme që të afrohet prokurori dhe mendësia e katërt që del është që ne jemi pushtet më vete dhe nuk ka njeri punë në oborrin tonë”, tha Dervishi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2.
Sipas tij problemi i mazhorancës është që kushtetutën, ligjin, rregulloren, kodet, i shohin si pengesa drejt objektivit që i kanë vënë vetes dhe jo si hartë që duhet ta ndjekin dhe ta dhe ta respektojnë.
“Domethënë i gjithë problem është që sa kohë ti je në rregull me ligjin, ti nuk ke asnjë problem. Dhe narrativa këtu nuk është mirë qeverisja të themi ose të nxjerrim problemet tona. Narrativa është pse po na godasin dhe nuk po thonë që s'kemi bërë gjë, po thonë po na bini pak fort. Domethënë ky është i gjithë problemi dhe ky është keqkuptimi i madh i shumicës. Pra kushtetutën, ligjin, rregulloren, kodet, të gjitha këto i shohin si pengesa drejt objektivit që i kanë vënë vetes dhe jo si hartë që duhet ta ndjekin dhe ta dhe ta respektojnë. Ky është konteksti dhe këtu nuk është fjala tashmë që janë zemëruar populli opozitar. Këtu janë zemëruar socialistët kur shohin aferat korruptive të paimagjinueshme dhe kjo është një seri tashmë që fillon prej vitesh dhe historia tjetër është marrja peng e vendit”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2.
Dervishi u ndal edhe te raporti i qeverisë me institucionet e reja të drejtësisë dhe mesazhet e fundit që vijnë nga Brukseli për integrimin. Sipas tij Shqipëria kishte një moment të artë me hapjen e negociatave, por nuk u shfrytëzua.
“Pra me veprime që mund të zhbllokosh proceset. Në këtë kontekst veprime që ti mund t'i bësh shumë shpejt dhe të vazhdosh përpara, sepse ky është dhe interesi i të gjithëve të ecim përpara, zvarritet i mban si gjyle nëpër këmbë, derisa historia që t’ia lëmë kohës se mos po ndodh diçka, se mos po ndodh një lloj mrekullie çfarë është transformimi i madh në raport me Shqipërinë. Merre momentin e Shqipërisë. Shqipëria kishte një moment të artë dhe quhej avangardë për integrimin. Pra quhej vendi, hapi negociatat, mbylli skanerin, hapi të gjithë kapitujt. Çfarë ndodhi befas që Brukseli që zakonisht është diplomatik në gjuhë, u kthye retorika dhe nuk u shfrytëzua, por u kthye mbrapsht deri në mesazhin që do të stopojmë hapat. Pra, ka diçka që duhet korrigjuar nga kjo shumicë? Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të vijnë mesazhe kaq të drejta, kaq brutale dhe kaq të drejtpërdrejta dhe kaq me presion nga Brukseli”, tha ai. (A2 Televizion)