“Ju e keni parë ultimatumet dhe paralajmërimet që i bën kryetarit të grupit parlamentar dhe nënkryetarit të PD, Gazment Bardhi. Sot u dënua Salianji, por ai me Salianjin mbaroi punë. Sot iu përvesh kryetarit të grupit parlamentar, sepse guxoi të rikthejë në skenë Olsin trafikant. Dhe se ai u përpoq për të njëjtin skenar. Çfarë do të thotë kjo? U garantoj se secili që të denoncojë krimet dhe aferat e Edi Ramës, do të ketë hakmarrjen e pamëshirë të tij”.
Kështu u shpreh Sali Berisha në mbledhjen urgjente të Kryesisë së Partisë Demokratike të mbajtur këtë të enjte pas dënimit me një vit burg të deputetit Ervin Salianji.
Ai tha më tej se opozita është përpara dy rrugëve, shkruan A2 CNN. “Momenti i terrorit kundër opozitës e vë opozitën para dy alternativave: ose të dalë në klandestinitet, çka ne nuk e përfillim kurrë këtë, ose të dalë ballë për ballë. Të mbrojë opozitarizmin, të mbrojë Kushtetutën, të mbrojë sovranitetin e vendit. Një vend ku shtypet opozita, nuk ka sovranitet të brendshëm. Ku shtypet një opozitë, e cila bën të gjitha përpjekjet për funksionimin e Kushtetutës, për funksionimin e ligjeve, për funksionimin e rregullores së parlamentit. Por këto të gjitha shpërblehen me arrestime. Shpërblehen me burgosje, shpërblehen me dënime, që të gjitha antiligjore, që të gjitha antikushtetuese, që të gjitha hakmarrje primitive”, u shpreh Berisha. (A2 Televizion)