Bashkimi Europian në Shqipëri do të mbështesë teknikisht, me një grup ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së, komisionin e posaçëm kundër dezinformimit. Për këtë qëllim, BE-ja po zhvillon trajnime, ku ambasadori Silvio Gonzato u kujdes të theksonte se puna e komisionit të posaçëm nuk duhet të cenojë lirinë e medias në vend.
"Të gjitha nismat për t’u përballur me manipulimin e informacionit, si dhe sigurimin e lirisë së medias, nuk mund të jenë njëra në kurriz të tjetrës. Lufta kundër ndërhyrjes së huaj apo dezinformimit nuk ka të bëjë thjesht me rregullimin e medias në internet apo, më keq, me moderimin e përmbajtjes, por kërkon një qasje më të gjerë, që duhet të përfshijë përmirësimin e kuadrit ligjor për ndërhyrjen në proceset demokratike. Sa i takon transparencës dhe qasjes së gjerë, duhet të vazhdojnë konsultimet me shoqërinë civile, që është shumë e rëndësishme", tha Ambasadori i Be në Tiranë, Silvio Gonzato.
Për kreun e komisionit, Erion Braçe, puna e këtij komisioni ka nxjerrë në pah mungesën e kuadrit ligjor që vendi ynë ka në raport me dezinformimin, si dhe formalizimin e mediave online, shkruan A2.
“Jemi të papërgatitur në aspektin ligjor dhe të infrastrukturës për të adresuar dezinformimin dhe, kryesisht, sulmet kibernetike. Liria e shprehjes dhe informimit janë jetike për një demokraci, sidomos në sektorin e posaçëm të medias, ku liria e shprehjes është themelore, ndërsa informalet nuk ndodhen në asnjë regjistër të shtetit shqiptar”, tha Braçe.
Opozita nuk ka marrë pjesë deri më tani në këtë komision, ndërsa shoqëria civile që në nisje e ka kundërshtuar këtë nismë për shkak të paqartësisë së objektivave. Më pas, komisioni miratoi një plan pune, por me shqetësim vijon të shihet mungesa e konsultimeve”.
“Aktualisht, shqetësimet tona përfshijnë mungesën e një përfshirjeje më të gjerë në seancat dëgjimore, vonesa në angazhimin dhe konsultimin me ekspertët, shoqërinë civile dhe median, si dhe vonesat në publikimin e vendimeve. Gjithashtu, kërkojmë përmirësim të koordinimit mes komisioneve parlamentare dhe përfshirje të opozitës për të siguruar një proces të gjithanshëm dhe transparent”, Blerjana Bino, Drejtor Ekzekutiv, SCiDEV dhe përfaqësuese e SafeJournalists Network në Shqipëri.
Ky komision vijon me seancat dëgjimore me institucionet shtetërore, ku janë ftuar të përfshihen 19 të tilla. (A2 Televizion)