“Mos vdeksh kurrë Fatos Nano”- Kryeministri Rama: Komunikimi ynë, si ai mes shoferit të turnit të parë dhe atij të turnit të dytë

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 12:58 | Politikë

“Mos vdeksh kurrë Fatos Nano”- Kryeministri Rama: Komunikimi

Në fjalën e tij lamtumirës, Rama ka vlerësuar paraardhësin e tij në PS, Fatos Nanon, si një njeri që e ndryshoi Shqipërinë, pas gjendjes së vështirë në të cilën ndodhej në vitin 1997.

Rama e krahason komunikimin e tij me Nanon, si shoferi i turnit të parë me atë të turnit të dytë për të njëjtën ‘makinë’.

Në fund të fjalës së tij, Rama nuk pranoi t’i thoshte lamtumirë paraardhësit të tij, por i tha ‘Fatos Nano mos vdeksh kurrë’.

"Pas varrosjes së Partisë së Punës, Nano ishte kyç në kalimin e shkretëtirës së socialistëve dhe bashkimin e tyre me botën demokratike. E kam kujtuar gëzimin e tij kur lajmëroi pranimin e PS në Internacionalen Socialiste. Si disa e diplomës kjo sot, më tha duke qeshur.

Në krye të qeverisë ju desh të drejtonte popullin nga dalja e piramidave. Pas katrahurës rrafshuese të ’97, duke u përballur me një opozitë privative, hakmarrëse deri në sulme të armatosura ndaj institucioneve dhe ndaj tij, personalisht dhe fizikisht.

Gjithsesi, kjo nuk është dita për të shkruar historinë e Fatos Nanos, por dita për t’i dhënë atij lamtumirën. I dashur Fatos, do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, komunikimi ynë si ai i shoferit të turnit të parë me turnin e 2-të për të njëjtën makinë. Kur ndodhte të ndanim një dilemë strategjike, këshillat e tua më ndihmonin të vendosja pikat mbi i.

Kur mendoj çfarë 4 rrotaku sovjetik more ti në dorëzim në turnin e parë e çfarë mora unë në të dytin, më vjen krejt natyrshëm të mos të të them lamtumirë, por thjesht mos vdeksh kurrë Fatos Nano", tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos