Nga malet në burg, Meta rrëfen verën pas hekurave: 12 metrat janë edhe palestër, edhe bibliotekë

Nga A2 CNN
27 Korrik 2025, 23:15 | Politikë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, rrëfen në një intervistë ekskluzive për “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, se si po e kalon verën pas hekurave, ku ndodhet prej tetorit të vitit të kaluar.

“Asnjëherë më mirë nuk kam qenë me shëndet dhe në formë fizike. I vetmi ‘’problem’’ është se tensioni gjithmonë është 7–11, si në kulmin e dimrit, por edhe të verës. Këto 12 m2 janë edhe palestër edhe bibliotekë edhe studio edhe kuzhinë, pra zakonisht unë në këtë periudhë kam qenë në zonat më malore të vendit duke i eksploruar dhe  promovuar ato. Por nuk më mungojnë as këtu. Qelia, harrova të them se, është edhe ekspozitë me fotot e mia në majën e Jezercës, në Dobërdol, Korab, Theth, Shalë, Prevallë, Majën e Çikës, etj. Ndërkohë, stërvitem çdo ditë për të ngjitur Majën e Hekurave sa më parë”, tha Meta.

Meta shpjegon edhe akuzat ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për keqtrajtim. “Ne akuzojmë Edi Ramën, pasi ai “si ma nalt” urdhëron këta poshtë vetes për të bërë veprime krejt të papërgjegjshme dhe të paligjshme për të më pamundësuar deri edhe komunikimin e ligjshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, numri i të cilit nuk “punon” më prej 40 ditësh edhe pse është i regjistruar zyrtarisht. Nuk dua të përmend shumë detaje të tjera të cilat janë bërë publike, por u bë tre javë që ende nuk i japin avokatit tim vendimin e dytë të dënimit nga Komisioni Disiplinor edhe pse ai ua ka kërkuar zyrtarisht”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos