Tensionet që shoqëruan seancën e djeshme plenare, ku kulmi u arrit me përleshjen fizike mes deputetit demokrat Bledion Nallbati dhe atij socialist, Vullnet Sinaj, është transferuar, këtë të martë, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.
Deputetët e opozitës kanë akuzuar kryetaren e komisionit, Klotilda Bushka, se ka shkelur Rregulloren me përjashtimin e deputetëve. Për këtë arsye, ata nuk kanë lejuar zhvillimin normal të mbledhjes së Komisionit, duke mos lejuar përfaqësuesit e qeverisë dhe deputetët e Partisë Socialiste që të flasin.
Ndërkohë, Bushka iu është drejtuar opozitarëve duke thënë se “revanshin e ulërimës, e ndërprerjes, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës ta përdorin atje ku ju ecën, por jo në Kuvendin e Shqipërisë”.
Problematik duket se është bërë sërish Nallbati, i cili është ngritur në këmbë dhe i është drejtuar ashpër kryetares së Komisionit.
“Pse më përmendni grushtin mua ju zonjë. Ça ju duket vetja ju? Më jep pak fjalën zonjë. A ka mundësi më jep çik fjalën se fole për mua ti”, iu drejtua Nallbati, Buçkës.
Kjo pasi, kryetarja e Komisionit më herët i ndërpreu fjalën deputetit demokrat, Saimir Korreshi, duke thënë se fjalën për procedurë duhet ta përdorte për të kërkuar falje për goditjen me grusht që Nallbati i bëri Sinajt në seancë.
“Jo nuk ju jap asnjë fjalë. Në qoftë se do e merrni fjalën të kërkoni falje për aktin që bëtë, po. Nëse do vazhdoni me të njëjtat akte, kolegë po ju them keni prekur fundin”, iu përgjigj Bushka.
Sakaq, burime pranë grupit parlamentar të PS-së thonë se do të kërkojnë përjashtimin e 7 deputetëve të opozitës pas sherrit të së hënës pasdite në Parlament. Nallbati u përjashtua, ditën e djeshme, nga seanca pasi tentoi të godiste me grusht socialistin Sinaj.
(A2 Televizion)