Monika Kryemadhi, e cila kthehet sot në Parlament pas një periudhe mungese, ka hedhur poshtë lajmet e publikuara për nisje hetimesh ndaj saj nga struktura e posaçme SPAK.
Teksa fliste për gazetarët jashtë ambienteve të Kuvendit, deputetja e Partisë së Lirisë foli për “fake news” dhe minim të demokracisë në Shqipëri.
Kryemadhi pranoi se është thirrur disa herë në SPAK për çështjen e inceneratorëve, por mohoi që të jetë hapur ndonjë hetim ndaj saj apo bashkëshortit të saj kreut të PL-së, Ilir Meta.
Ndërsa, e pyetur për aksionin opozitar të nisur nga aleati i Metës, Sali Berisha, Kryemadhi tha se ajo mbështet çdo iniciativë të nisur.
“Ka një strukturë të PL-së që merret me këtë gjë. Do të koordinohemi për ato pika që bashkohemi,” u shpreh Kryemadhi duke shtuar se me Gazment Bardhin ka pasur disa hatërmbetje, por “ato ishin gjatë kohës që ai kishte kryetar Lulzim Bashën." (A2 Televizion)