Dy negociatorët e marrëveshjes PS-PD që dakordësuan listat e partive politike si dhe votën e diasporës, ishin edhe dy deputetët që hapën e mbyllën debatin prej 4 orësh në seancën plenare.
Socialisti Damian Gjiknuri mbajti peshën kryesore të mbrojtjes së draftit, si me shpjegimin e ndryshimeve në kodin elektoral, ashtu edhe përballë kritikave që vinin nga opozita.
Aleatët e PD, Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi, vlerësojnë mundësinë që do t’u jepet emigrantëve, por kundërshtojnë formulën 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur.
Në sallë mungonte negociatori i opozitës, Oerd Bylykbashi, ndaj replikat i mori përsipër Gjiknuri. I përballur me kritika të shumta brenda partisë së tij, për frikën që i ka kapluar demokratët se në cilën listë do të jenë, Oerd Bylykbashi u tregoi se sa karrige në Parlament do të jenë në garë për një votë.
Edhe Lulzim Basha ka një mendim për formulën me dy lista: “Biznes klas për veten dhe karrocë për të tjerët”.
Dalja e Bashës në foltore preku nervin ende të zbuluar të demokratëve, kur flitet për pazare politike. Për të shuar kritikat, kreu i grupit demokrat sfidoi kolegët: “Dilni të pavarur, merrni 9 mijë vota dhe fitoni”.
I zhgënjyer nga Partia e tij Demokratike, Dashnor Sula kishte një kërkesë për Edi Ramën, me shpresën se ai do ta dëgjojë: “Të përgjërohem, mos dil në fushatë për zgjedhjet! I ke të fituara”.
Enkelejd Alibeaj tregoi se çfarë thuhet në foltore, nuk përkon me atë që ndodh në kafenenë e Parlamentit.
Teksa opozitarët ishin më të fokusuar te kuota e hapur e listës, socialistët kishin shqetësim për kuotat gjinore. Me kërkesë të përbashkët të deputetëve nga dy grupet PS-PD, prezenca e grave do të garantohet jo vetëm në listën e mbyllur, por edhe në shpërndarjen e mandateve nga lista e hapur. (A2 Televizion)