Takimi i zhvilluar mes Flamur Nokës dhe Ilir Metës, këtë të hënë, për të arritur marrëveshje për të garuar së bashku në zgjedhjet e vitit 2025, nuk do të jetë i fundit. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat shpjegoi se diskutimet janë ende të hapura, ndonëse aleati i Partisë së Lirisë deklaroi se preferon listën dhe logon e tij në zgjedhje.
“Janë diskutime, nuk ka një projekt të dorëzuar. Diskutimet në këtë fazë janë përqendruar totalisht në bashkëveprimin tonë për protesta të përgjithshme dhe krijimin e qeverisë teknike. Kjo është tema jonë e diskutimit”, tha Berisha.
Berisha nuk tenton ta fshehë se preferon një listë të përbashkët të koalicionit opozitar, por kur pyetet nëse do të shpërblejë Ilir Metën me vende të sigurta, për t’i kthyer borxhin e vënies së partisë në dispozicion në vitet e fundit kur vula dhe logo e PD ishin tek Basha, kryedemokrati flet për bashkëpunim në interes të përbashkët.
“Ilir Meta nuk ka nevojë për shpërblim. Ilir Meta është i konsoliduar si partia e tretë më e madhe e vendit. Se cili do jetë koalicioni, por jo shpërblim, me interes të përbashkët bilateral do të shqyrtohet në kohërat që vijnë”.
Berisha komentoi sërish edhe idenë e kryeministrit Rama për krijimin e një shteti sovran për bektashinjtë brenda territorit të Shqipërisë, shkruan A2.
“As kur janë vendosur kryegjyshatë, nuk është bërë fjalë për një shtet islamik në Shqipëri. Shqipëria është shtet laik dhe unitar. Bektashitë meritojnë padiskutim Kryegjyshatën e botës, por kjo nuk nënkupton kurrë një shtet islamik”.
Sipas tij ideja e krijimit të një shteti sovran do të ishte një precedent i rrezikshëm, pasi prishet harmonia fetare. (A2 Televizion)