Rama me bashkatdhetarë të Diasporës në SHBA: Sot e keni kokën lartë kur thoni se jeni nga Shqipëria

Nga A2 CNN
25 Shtator 2024, 16:00 | Politikë

Rama me bashkatdhetarë të Diasporës në SHBA: Sot e keni

Në një takim me shqiptarë të Diasporës në SHBA, kryeministri Edi Rama tha se ata që jetojnë jashtë mund ta kuptojnë më mirë se kushdo tjetër ndryshimin e madh që ka pësuar vendi. “Çdokush që jeton jashtë sot e ka kokën lartë kur thotë jam nga Shqipëria sepse reagimi është pozitiv dhe sot është shumë kollaj që të takosh kudo njerëz që të thotë se ishin ose kanë dëshirë të shkojnë në Shqipëri për ta vizituar Shqipërinë”, tha Rama nga Nju-Jorku, shkruan A2 CNN.

“Ndërkohë që objektivi jonë strategjik është që brenda kësaj dekade, ne të jemi gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, çka do të ishte një arritje historike dhe një kapërcim i jashtëzakonshëm historik sepse përfundimisht do të linim të shkuarën mbrapa dhe do të rreshtoheshim si të barabartë me të gjithë ato vende që deri dje i kemi parë nga larg edhe pastaj e kemi arritur individualisht, por gjithmonë kemi parë nga poshtë - lartë kur vjen fjala për raportin shtetëror”.

Rama u shpjegoi të pranishmëve edhe procedurën e votimit nga jashtë Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Një fakt që tashmë është i vulosur në ligjin e Kuvendit të Shqipërisë, në fund pas shumë vitesh përpjekje nga ana jonë, por në rastin e ligj zgjedhjeve duhet një shumicë më e madhe sesa shumica që ne kemi pasur në dispozicion dhe falë edhe një presioni pozitiv më të organizuar dhe më të ndjeshëm në Tiranë të vetë përfaqësuesve të Diasporës, ne tani e kemi këtë ligj dhe patjetër që të gjithë shqiptarët që janë jashtë dhe që kanë dëshirë të marrin pjesë në procesin zgjedhor kanë të drejtën dhe kanë mundësi të votojnë përmes një sistemi të thjeshtë besoj, që s'është si këtu në Amerikë, ku për të votuar duhet të regjistrohesh dhe pastaj, në momentin që regjistrohesh, në rastin e këtij sistemi që ne kemi, të vjen zarfi, ti aty brenda ke fletën e votimit, shënon në kutinë që dëshiron, shprehjen e vullnetin tënd, mbyll zarfin dhe e poston mbrapsht”, tha Rama, shkruan A2 CNN.

“Në sistemin tonë vota shkon aty ku ke vendbanimin e regjistruar në Shqipërisë, pra aty ku figuron në listën e zgjedhësve. Në rast se do të shkoje fizikisht dhe numërohet si pjesë e votave të atij qarku ku bën pjesë bashkia, nga ku buron emri yt si rezident në Shqipëri, pra në atë adresë ku je i regjistruar në Shqipëri dhe ku ke vendbanimin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos