Nënshkruhet marrëveshja për praktika të paguara pune për studentët

Nga A2 CNN
1 Tetor 2025, 11:22 | Politikë

Nënshkruhet marrëveshja për praktika të paguara pune

Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkruan marrëveshjen për programin e mbështetjes dhe përgatitjes profesionale të studentëve. Ky program do të mundësojë zhvillimin e praktikave të paguara të punës për studentët e këtij universiteti, duke ofruar mundësinë që ata të përfshihen në projekte konkrete, të njohin nga afër proceset e zhvillimit të infrastrukturës dhe të zhvillojnë aftësi të nevojshme për tregun e punës.

Sipas qeverisë, ky program synon të përmirësojë mundësitë për studentët dhe të krijojë një lidhje më të fortë mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës, duke përfshirë gjithashtu një fokus të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në fushat inxhinierike.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe universiteteve për të siguruar mundësi konkrete për studentët, duke u ofruar atyre mundësinë për t'u integruar në tregun e punës që nga faza e studimeve.

“Ky aktivitet përbën një moment të rëndësishëm në rrugën e thellimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe universitetit dhe pa përsëritur shumëçka që u tha këtu dua të sjell në vëmendje faktin se qysh kur ne e shpallëm Paktin për Universitetin procesi i ndërveprimit me Universitetin sipas fushave ka njohur zhvillime të vazhdueshme dhe eksperienca na ka mësuar që në këto bashkëpunime me fakultete të ndryshme ka shumë për të mësuar, por njëkohësisht ka gjithmonë më shumë për të bërë”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

“Programi i sotëm është shprehje e këtij fakti, por njëkohësisht përtej këtij programi i cili do të mundësojë rekrutimin për një praktikë të veçantë për një numër studentesh të këtij universiteti, ne duam që të shkojmë edhe më tutje dhe duam të artikulojmë edhe më shumë programe të posaçme të kësaj natyre për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që studiojnë në universitet që të fillojnë të materializojnë një perspektivë të se nesërmes pa mbaruar ende studimet dhe që të përfshihen në praktika pune të cilat iu  hapin atyre këtë perspektive dhe iu sigurojnë një informacion të domosdoshëm lidhur me si mund të bëhen pjese e përhershme e trupave të ndryshme që operojnë në funksion të interesave të shtetit shqiptar. E nga ana tjetër, për të krijuar ura të reja, kanale të reja bashkëpunimi në mënyrë që investimet dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e qeverisë për universitetin të shkojë pikërisht në funksion të përfitimit të ndërsjellë. Të përfitimit të ndërsjellë ku ajo çfarë universiteti përfiton të materializohet në jetën konkrete të studenteve dhe ajo çka shteti investon të materializohet në impaktin që këta studentë kanë në rritjen e cilësisë së punës së strukturave përkatëse shtetërore”.

Rama shtoi se praktikat e punës tanimë janë bërë rutinë dhe çdo vit kemi një numër të konsiderueshëm studentësh të cilët kanë mundësinë të shfrytëzojnë këto praktika pune. “Ne po bëjmë shumë përpjekje për të sjellë realitete të reja akademike nga jashtë, brenda në Shqipëri dhe duam njëkohësisht të mbështesim çdo përpjekje që bëjnë universitetet për tu hapur ndaj botës dhe për t’iu krijuar studentëve të tyre këtu në Shqipëri që të marrin drejtpërdrejtë si të ishin jashtë, atë çka bota jashtë në të gjithë rrjetin e universiteteve të veta ofron. Po ashtu më vjen shumë mirë që Pakti për Universitetin funksionon edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe faktikisht ky universitet po fuqizohet me dy struktura të reja moderne të cilat do garantojnë hapësirë dhe kushte optimale për studentet, që nga inxhinieria deri te gjeologjia. Dhe patjetër që ne nuk do mjaftohemi me kaq se përtej kësaj infrastrukture të re dhe të domosdoshme është po kaq e domosdoshme që ne të mbështesim universitetin për tu fuqizuar me laboratorët e nevojshëm, për tu fuqizuar me teknologjinë e nevojshme në mënyrë që ndryshimi epokal që po ndodh kudo në botë ta përfshijë fuqimisht dhe universitetin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos