Nga Ahmadinexhadi te thirrja për kryengritje ndaj qeverisë shqiptare, Rama publikon fotot e protestueses

Nga A2 CNN
25 Qershor 2026, 11:43 | Politikë

Nga Ahmadinexhadi te thirrja për kryengritje ndaj qeverisë shqiptare,

Kryeminstri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale dy foto, ku e njëjta protestuese shfaqet, sipas tij, në krah të Ahmadinexhadit dhe në një foto tjetër duke bërë thirrje për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë.

Rama shkruan se në “teatrin e maskave të bulevardit” ka përfitues të turlillojshëm, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur dhe besimtarë të shtirur.

Mos u merr me protestuesit… Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër. Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama në rrjetet sociale.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos