Kryeministri Edi Rama, nga konferenca e përbashkët me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, pohoi se Shqipëria është gati për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Jam veçanërisht i emocionuar për mbështetjen që ne na ka dhënë Presidenti dhe i gjithë ekipi i tij. Kjo sepse na jep neve mundësinë që t’u tregojmë qytetarëve tanë se sa e rëndësishme është që të kuptojmë se rruga drejt anëtarësimit në BE ka nevojë për kontributin e të gjithë shoqërisë, jo vetëm disa aktorëve. Me komitetin e përbashkët konsultativ do të kemi edhe një mekanizëm dialogu me Komitetin Ekonomik e Social Europian. Synimi është të forcojmë bashkëpunimin, provë që tregon se jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE”, tha Rama.
Nga ana tjetër, edhe Presidenti deklaroi se edhe Komiteti Ekonomik dhe Social është gati për të pritur anëtarë të rinj: “Ne jemi gati. Bazën ligjore e kemi, thjesht duhet të caktohen anëtarët dhe ne mund të vijojmë”. (A2 Televizion)