Gazetari dhe studiuesi i njohur Erald Kapri, ka mundur të triumfojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku pritet të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë në katër vitet e ardhshme i partisë “Mundësia”.
Ky mandat që la pas një sërë emrash të tjerë të politikës jashtë dyerve të parlamentit, përfaqëson jo vetëm një arritje personale për Kaprin, por edhe një sinjal për nevojën e rinovimit në politikën shqiptare.
Më herët ai ka deklaruar se do të jetë një zë i lirë në parlament, duke u angazhuar për transparencë, drejtësi dhe përfaqësimin e qytetarëve që kërkojnë ndryshim, e veçanërisht shtresës së ish të përndjekurve politikë nga e cila vjen.
Kapri ka lindur në internim, si pjesë e një familjeje të përndjekur politikisht nga regjimi diktatorial, ku pas fitores së demokracisë i është dashur të kalojë një sërë sfidash.
Pavarësisht kushteve të vështira, prindërit e tij sakrifikuan gjithçka për edukimin e fëmijëve, duke shitur shtëpinë e vetme për t'i ofruar atyre shkollimin e duhur në kryeqytet.
Kapri përfundoi studimet për gazetari dhe shkenca komunikimi në Universitetin e Tiranës dhe më pas fitoi një bursë master në Universitetin e Westminster-it në Londër.
Prej vitit 2014, ai ka kontribuar si pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës .
Si gazetar e studiues, Kapri është autor i disa librave që trajtojnë periudha të pandriçuara më herët të historisë shqiptare, duke përfshirë Sekretet e Luftës, një libër ku sjell këndvështrimin britanik për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri përmes dokumenteve që gjenden në arkivat britanike dhe "Mbreti Zog pas dyerve të mbyllura", i cili rrëfen historinë e panjohur të Mbretit Zog për të rifituar fronin.
Me përvojën e tij në gazetari, studime historike dhe angazhimin për të drejtat e njeriut, Erald Kapri sfidon status quo-në dhe pritet të sjellë një perspektivë të re në Kuvendin e Shqipërisë. (A2 Televizion)