Me vendimin e KAS në favor të tyre, Partia Socialiste i ka kërkuar edhe zyrtarisht KQZ që të nisë numërimin e votave të mbërritura me postë nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Nga Parku Olimpik, përfaqësuesi i PS për Diasporën, Taulant Balla kërkoi nga Kryekomisioneri që të lexohet çdo votë dhe procesi i numërimit të mos bllokohet kur kanë mbetur edhe 25% e zarfeve pa u hapur.
“Kemi vërejtur se në komisionet e administrimit, vlerësimit dhe të numërimit të votave nga jashtë, nuk ka një kuorum për të marrë vendime për shkak të balancës politike që ekziston në to. Sipas parashikimeve të Kodit i jemi drejtuar edhe zotit Celibashi, i cili ka të gjithë kompetencën të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe vendimet përkatëse të Rregullatorit, me qellim vijimin e këtij procesi. Synimi ynë është që e para të lexohet çdo votë e ardhur nga vëllezërit dhe motrat tona në Diasporës dhe e dyta që të mbyllet sa më shpejt procesi i numërimit këtu, qoftë ky për subjektet edhe ai tjetri për votën preferenciale për kandidatët”, tha Balla.
I pyetur nëse do të ishte zgjidhje propozimi i opozitës për lexuar vetëm ato vota nga diaspora, për të cilat ka nënshkrim se i kanë dorëzuar vetë zgjedhësit, Balla tha se nuk bën interpretime të tilla.
“Unë nuk mund të hyj në interpretime të kësaj natyre. Ka një përpjekje për të penguar shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve. Por ne nuk jemi në fazën e kontestimeve të rezultatit zgjedhor. Subjektet që ju përmendni mund ta kenë këtë mundësi në një fazë tjetër. Në këtë fazë ku jemi, çdo votë, çdo zarf i mbërritur në KQZ, i administruar në mënyrë të rregullt nga KQZ. Detyra e kësaj salle këtu dhe këtyre numëruesve është ti lexojnë. Pas këtij momenti vijon edhe saga e përhershme e kontestimeve nga çdo subjekt politik”, deklaroi ai.
Më tej Balla nënvizoi se procesin po e pengojnë “ata që kanë humbur”.
“E keni parë ditën e dielë në darkë që ka ardhur një përfaqësues politik dhe u ka thënë numëruesve për të mos numëruar, gjë që s’ka ndodhur kurrë. Jemi në një situatë të qartë si drita e diellit që kemi numëruar pothuajse 75%, kemi dhe 25% për të numëruar”, nënvizoi Balla. (A2 Televizion)