Rama me António Costa, apel liderëve të rajonit: Mos e humbni këtë moment që historia na ka sjellë në derë

Nga A2 CNN
15 Maj 2025, 17:06 | Politikë

Rama me António Costa, apel liderëve të rajonit: Mos e humbni

Anëtarësimi në BE dhe situata në rajon kanë qenë dy temat e diskutuar sot mes kryeministri Edi Rama dhe presidentit të Këshillit Europian, António Costa. Në konferencën e përbashkët për shtyp kreu i qeverisë bëri të ditur se përmbyllja e negociatave në vitin 2027 është plani i ambicioz dhe i jashtëzakonshëm i Shqipërisë.

“Ne jemi këtu sot pasi presidenti ka vizituar të gjithë rajonin dhe është ndaluar në Tiranë, sepse nesër do të jetë i pranishëm në samitin e Komunitetit Politik Europian. Diskutuam për të dyja aspektet që na lidhin me Këshillin Europian dhe BE-në për procesin e anëtarësimit që po ecën shumë mirë. Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur 8 të tjerë do të hapen në ditët në vijim dhe synojmë të hapim gjithë kapitujt brenda vitit. Ndërkohë plani i përbashkët me KE dhe i mbështetur nga vendet anëtare është të mbyllim negociatat në 2027. Është një plan ambicioz, por një mundësi e jashtëzakonshme për ne, pasi janë rreshtuar yjet dhe BE sot si asnjëherë më parë është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të rinj bazuar në meritë e rezultate”.

Kreu i qeverisë shqiptare ftoi të gjithë liderët e rajonit në samitin e nesërm dhe u bëri thirrje që të mos e humbasin këtë moment që historia sipas tij “na ka sjellë në derë dhe të shfrytëzojmë gatishmërinë e BE”.

“Aspekti tjetër që folëm është ecuria e rajonit se edhe kjo është e lidhur me arsyen pse BE sot është në gatishmërinë më të lartë për të pranuar anëtarë të tjerë se konteksti gjeopolitik është i tillë. Përfitoj nga rasti sot dhe nesër që ti ftoj të gjithë kolegët e rajonit, miqtë e mi që të mos e humbasin këtë moment që historia na ka sjellë në derë dhe të shfrytëzojmë gatishmërinë e BE”.

Pa kursyer batutat, ai vlerësoi ish- Përfaqësuesen e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“E fundit që dua të theksoj është që më vjen mirë që këtu kemi edhe një mike të shtrenjtë të Shqipërisë, ish-mike se tanimë është shqiptare nga Italia, Federica Mogherini që nuk e kuptoj akoma pse nuk e ka bërë aplikimin për pasaportë shqiptare. Vetëm një justifikim ka, që pret të marrë pasaportën europiane të Shqipërisë se nuk do këtë pasaportën me lëvizje të lirë por me të drejtë qëndrimi në BE”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos