Kryeministri Edi Rama, në nisjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, foli për Reformën në Drejtësi, duke theksuar se nuk ka "asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë".
"Në mandatin e ri do na duhet të adresojmë menjëherë emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës. Dua të them sa më qartë atë që besoj duhet të ndajmë të gjithë së bashku mbi drejtësinë dhe raportin tonë me të. Ne si PS nuk kemi hyrë në asnjë rast në një çështje të drejtësisë, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e saj. Nuk e kemi bërë avokatin për njerëzit tanë edhe kur mund të mos na duket e drejtë. Nuk kemi asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë për Reformën në Drejtësi. Përmes reformës i kemi larguar me vetëdije të plotë duart e ekzekutivit nga çdo proces seleksionimi apo shkarkimi prokurorësh apo gjykatësish. Ja kemi lënë pushtetit gjyqësor të qeverisë vetë punët e veta përmes organeve të parashikuara nga Reforma në Drejtësi. Prandaj, kush flet për kapje të drejtësisë nga ana jonë, ose nuk di çfarë flet ose nuk do që të pranojë të vërtetën shumë të madhe të një ndryshimi epokal për një vend ku kurrë nuk ka pasur pavarësi prokurorësh apo gjykatësish nga cilido pushtet politik", tha Rama, shkruan A2.
“E dija që kjo tërheqje e plotë nga fusha e gjyqësorit do të sillte dhimbje dhe do të na bënte dëshmitarë të një lindjeje të vështirë të krijesës së një drejtësie të pavarur në shtratin e pistë të drejtësisë, që nuk ka qenë kurrë e pavarur. Por, do i durojmë të gjitha dhimbjet e procesit historik të pavarësimit të drejtësisë, qoftë kur këto dhimbje vijnë nga rënia e atyre mes nesh në mëkatin e përfitimit të paligjshëm, apo nga rënia e atyre që hetojnë të pavarur në mëkatin e forcës disproporcionale", shtoi kreu i qeverisë. (A2 Televizion)