Nis shkolla për socialistët, deputetët e rinj në leksion, gati të përballen me Berishën

Nga Fjorela Beleshi
20 Qershor 2025, 15:13 | Politikë

Për 39 deputetët e rinj të PS-së nisi Akademia Politike që synon t’i bëjë gati për Parlamentin e ri të shtatorit. Socialistët e rinj mbërritën herët në selinë e PS-së, duke treguar gëzimin e ditës së parë të "shkollës", por edhe për të shfrytëzuar kohën për t’u njohur me njëri-tjetrin, tashmë që i përkasin një rrethi më të ngushtë të së njëjtës familje politike.

Profesorin e parë, Fatmir Xhafaj, e pritën në klasë, ndërsa vetë ish-ministri i Drejtësisë u tregua i kujdesshëm për të mos treguar superioritet ndaj të rinjve të zgjedhur.

Deputeti i Vlorës, Ardit Bido, mbërriti në seli pasi ishin marrë mungesat, por në kohë për të dëgjuar eksperiencën politike të arkitektit të reformës në drejtësi. Xhafaj u tregoi atyre cili është roli i deputetit dhe rëndësinë e respektimit të kodit të etikës.

Në pushimin pas leksionit të parë prej 90 minutash, deputetja e zgjedhur e Elbasanit, Sara Mile, u kujdes të theksojë se, ndonëse po marrin njohuri të reja, ata nuk janë individë pa bagazh, shkruan A2 CNN.

Për të treguar përgatitjen e saj, deklaron se në shtator “luftën” do ta nisë me udhëheqësin e opozitës.

Një ditë më parë, lektorët dhe studentët dëgjuan për rreth 60 minuta kryeministrin Rama, mbi rolin kushtetues të deputetit. Profesorët, çdo fundjavë, për një muaj rresht, do të duhet të shërbejnë për të rinjtë si një manual politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos