Me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve duke ulur numrin e punonjësve e rrjedhimisht kursyer para, qeveria ndërmori në vitin 2014 reformën “administrative-territoriale”, shkruan A2 CNN. Zyrtarë nga shumica qeverisëse argumentuan se zbatimi i saj do kursente qindra-milionë euro, para që do të shërbenin për të përmirësuar jetesën e qytetarëve. Po sot një dekadë më pas, si paraqitet gjendja e njësive të pushtetit vendor në drejtim të financave dhe ofrimit të shërbimeve?
“Nga 2.3% e PBB në vitin 2014, përpara reformës, që shpenzonte pushteti vendor. Kjo shifër sot ka shkuar në 3.2%. Pra është 30% më e lartë në një kohë kur PBB është dyfishuar. Rritja e eficencës së bashkive është e dukshme kur bazohemi në fakte e shifra dhe kjo konfirmohet nga pesha që zë shpenzimi për paga. Në vitin 2015 kur ishte ndarja territoriale e vjetër, kjo shifër ishte sa 70% e shpenzimeve totale dhe sot ka shkuar në 43%”, tha Arbjan Mazniku, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Me gjithë hapat para, problem në thuajse 61 njësitë pushtetit vendor mbeten ndryshimet në administratë sa herë që ka rotacion politik në drejtimin e bashkisë. “Mesatarja është 10 për qind që nuk është as shumë problematike, pro as një shifër e mirë. Kjo shkallë duhet të jetë në 5 për qind. E përgjithshmja është se sa herë ndërrohet kryetari, ka ndryshime edhe te stafi”, tha Ermal Elezi, nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Në bilancin 10-vjeçar në reformës administrative-territoriale, rezultat pozitiv nuk ka as kompetenca e transferuar nga qeveri te baskitë, ajo e arsimit parashkollor. “Në qoftë se do të shikojmë shkallën e regjistrimeve në çerdhe vihen re norma të ulëta për fëmijët. Norma e frekuentimit për fëmijët 0-6 vjeç rezulton 38.6 për qind”, tha Olta Caca, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Para vitit 2015, Shqipëria kishte në total 373 njësi të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna. Më 31 korrik 2014, reforma u miratua me 88 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, pa praninë e Partisë Demokratik, duke reduktuar në 61 njësitë e pushtetit vendor. (A2 Televizion)