“Njollë e errët e Parlamentit”, Alibeaj: Sa të dënuar nga GJKKO kanë përfituar nga amnistia?

Nga A2 CNN
9 Maj 2024, 11:04 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka ngritur një sërë pyetjesh në lidhje me miratimin e amnistisë penale dhe nëse është marrë mendimi i institucioneve të drejtësisë për amendamentet. Në interpelancë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, ai kërkoi të dhëna konkrete në lidhje me të hetuarit nga SPAK apo të dënuarit nga GJKKO që kanë përfituar nga kjo amnisti.

“Cila ka qenë arsyeja pse u miratuan këto amendamente. A është kërkuar mendimi i institucioneve të drejtësisë KLP, KLGJ e SPAK? Po amendamentet a u konsultuan me këto institucione të drejtësisë? A i janë përcjellë komisionit të ligjeve të dhëna për numrin e personat që do të përfitonin nga amnistia. Kam kërkuar në mbledhjen e komisionit të ligjeve që të sillte listën e të gjithë të dënuarve që do të mund të përfitonin nga amnistia. Dhe premtimi ishte po do ta sjell. Sot që flasim unë nuk e kam një listë. A është marrë informacion nga struktura e SPAK në lidhje me numrin e personat që do përfitonin nga amendamentet e propozuara dhe miratuara në komision e seancë? Sa ishte numri i përgjithshëm i përfituesve nga amnistia e parashikuar nga Ministria e Drejtësisë në momentin e depozitimit të projektligjit në Kuvend dhe pas miratimit në Kuvend. Sa është numri i përfituesve nga amnistia, i të hetuarve nga SPAK apo i të dënuarve nga GJKKO?“

Duke e konsideruar një nga njollat më të errëta të veprimtarisë së parlamentit, Alibeaj tha se arsyeja e vërtetë e miratimit të amnistisë natën, ishte vetëm për arsye politike.

“S’dua ta bëj një lojë të neveritshme me shifrat e numrat, por arsyet e vërteta të miratimit të amendamenteve natën janë arsye politike, që ose do të na shfajësojë të gjithë ju ose do t’ju ngarkojë me një njollë të pashlyeshme, se dihet mirë se cilat janë mesazhet që nëpërmjet kësaj amnistie ju dërguan publikut shqiptar. Po para kësaj cilat janë përgjigjet e përfaqësuesit të qeverisë lidhur me këto pyetje për të bërë dritë për atë që është një nga njollat më të errëta të veprimtarisë së këtij parlamenti?”

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos