Superkomisioni antikorrupsion, opozita e paunifikuar, Rithemelimi ende pa vendim

Nga Anesti Barjamemaj
8 Maj 2024, 22:36 | Politikë

Superkomisioni antikorrupsion i prezantuar nga Kryeministri Edi Rama, që pritet të kalojë në Kuvend, nuk e ka ende dritën jeshile të opozitës. Rithemelimi, si grupimi më i madh opozitar në Kuvend, është i përmbajtur në deklarimin e qëndrimit të tij. Për momentin Gazment Bardhi u mjaftua të deklarohet parimisht pro çdo nisme që përafron Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

“Nuk mund të përgjigjem për diçka që nuk e kam parë. Nuk i përgjigjem ftesave kur nuk janë procedurë parlamentare. Kur Komisioni i Posaçëm të jetë agjendë, atëherë do të përgjigjem. Rama vazhdon ta shikojë integrimin europian si një rrezik për pushtetin e tij”, tha Bardhi.

Kategorikisht kundër superkomisionit është pjesa tjetër e Partisë Demokratike, që drejtohet nga Lulzim Basha. Sipas Enkelejd Alibeaj, Rama e ka ndërmarrë këtë nismë pikërisht se reforma në drejtësi po funksionon.

“Nuk duhet të prekim reformën në drejtësi”, tha Alibeaj.

Edhe Ilir Meta pohoi se Partia e Lirisë nuk do të bëhet pjesë e komisionit të posaçëm.

“Lidhur me këtë manovër dhe gënjeshtër të radhës, mund të them se, si nuk i mjaftuan 11 vjet një njeriu për të bërë reformat, e premtuara prej 11vitesh? Ky nuk la premtim pa bërë, edhe reformë pa bërë. Por, në vend që të bënte reforma, bëri Ramaforma, pra gjithçkaje i dha formën e vet”, tha Meta.

Tashmë pritet që nisma e qeverisë të depozitohet zyrtarisht në Kuvend dhe opozita po ashtu të zyrtarizojë qëndrimet e saj lidhur me objektin e punës së këtij komisioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos