Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero përsëriti thirrjen drejtuar Athinës zyrtare që të mos e pengojë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë për në Bashkimin Europian për çështjen Beleri.
Sipas Pisoneros, mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të ndikojnë në procesin e zgjerimit.
Pisonero i ritheksoi këto qëndrime në një konferencë për shtyp kur u pyet, në mënyrë indirekte, për burgosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe nëse Komisioni e sheh atë si një çështje dypalëshe apo që duhet të shqetësojë edhe BE-në.
Pisonero nuk pranoi të komentojë çështjen “Beleri”, duke thënë se komisioni nuk komenton çështjet gjyqësore në hetim.
"Ne nuk kemi shumë elemente për të shtuar në lidhje me raportet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Linja jonë është tepër e qartë, ne do të ndjekim zhvillimin e procesit gjyqësore ndaj Fredi Belerit, por nuk do të komentojmë asnjëherë për sa i përket çështjeve dhe procedurave gjyqësore. Komisioni Europian është në kontakt me vendet kandidate dhe thekson se problemet bilaterale nuk duhet të ndikojnë në vendimin e Bashkimit Europian për zgjerim. Komisioni Europian ka përsëritur shpesh herë hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut. Por kjo është në dorën e shteteve anëtare. Për Maqedoninë e Veriut do të shikojmë ecurinë e vendit pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Ne besojmë se forcat politike do të përqendrohen në rrugën europianë të Maqedonisë së Veriut", tha ajo.
(A2 Televizion)