“Nuk barazohet Rama me Berishën”, Kaso për thirrjet e qytetarëve: Janë vite dritë larg njëri-tjetrit

Nga A2 CNN
18 Qershor 2026, 20:52 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka komentuar një pjesë të thirrjeve në protestën qytetare, ku brohoritet: “Rama në burg! Berisha në burg”. 

I pyetur se si ndihet kur dëgjon slogane të tilla, Kaso tha se nuk mund të vendoset një paralelizëm mes kërkesës kryesore të protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe thirrjeve që, sipas tij, janë sporadike dhe të izoluara kundër liderit të opozitës.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Kaso thotë se Rama dhe Berisha janë vite dritë larg njëri-tjetrit.

 “Së pari nuk vihet një paralelizëm midis asaj që është kërkesa kryesore e protestuesve, dorëheqjes së Ramës dhe qeverisë së tij, për t’i hapur rrugë një farë stabiliteti politik, ndryshimit të rregullave të lojës, me disa thirrje sporadike kundër liderit të opozitës. Nuk mendoj se kurrësesi mund të vihet shenja e barazimit, sido që të jetë e perceptuar opozita, ndaj kësaj këqeverisje që e vuajmë të gjithë njësoj në kurriz, me shumëçka që mund të ketë bërë mirë apo keq opozita. Nuk mund të vihet shenjë barazimi mes Ramës dhe Berishës. Janë vite dritë larg njëri-tjetrit. Janë thirrje të izoluara. Berisha i ka dëgjuar, gjithkush është i lirë të protestojë. Votues të PD-së që marrin pjesë si qytetarë artikulojnë thirrje të tjera. Si festival demokracie ka vend për të gjitha thirrjet”, u shpreh ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos