“Nuk e djegim jorganin për një plesht”, Shabani pas caktimit të mandatit: Adriatikut ia kam falur, uroj të nxjerrë mësimet e veta

Nga A2 CNN
23 Korrik 2025, 16:16 | Politikë

“Nuk e djegim jorganin për një plesht”, Shabani pas

Kryetari i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar mandatin e koalicionit ku ai merrte pjesë bashkë me Shqipëria Bëhet.

“Njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!”, tha Shabani përmes një postimi në Facebook.

“Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës. Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje. Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet! Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat”.

Sjellja e Lapajt dhe anëtarëve të partisë së tij në ditët e fundit, për Shabanin është “kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra”.

“Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet. Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos