“Nuk fitohet duke karikaturuar opozitën”, Shtuni tregon gafën më të madhe të Harris

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2024, 21:28 | Politikë

Eksperti për çështjet e sigurisë, Adrian Shtuni ishte i ftuar në Debat në A2 CNN, ku bëri një analizë të shkaqeve se përse Donald Trump u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale dhe gabimet e fushatës së demokratëve.

Sipas Shtunit, republikanët i lexuan si duhet pakënaqësitë e votuesve amerikanë dhe sollën një propozim ndryshe, teksa Harris dhe organizatorët e fushatës së saj u fokusuan te kundërshtari.

“Ishte një votë plebishitare, nuk do koment. Rezultati tregoi se Trump dhe republikanët e kanë lexuar pakënaqësitë e votuesve amerikanë, problemet e krimit, të sigurisë dhe bënë një propozim për ndryshim.

Edhe Harris shpenzoi kohë dhe para që të bindte publikun se Trump ishte dhe gogoli dhe jo që ajo ishte zgjidhja e problemit. Kjo qasje i solli problem. Ky nuk ishte vetëm dështim i Harris, por i gjithë demokratëve.

Nuk mund të fitosh në zgjedhje duke karikaturuar opozitën. Duhen përgjigje për problemet dhe jo shmangie përgjegjësie. Unë e kam thënë që demokratët do të humbnin dhe Senatin. Nuk ka shumë zv.presidentë në detyrë që janë bërë presidentë. I fundit ishte Bushi i vjetër.

Mendoj që duhet të ishte bërë kalimi nga Biden te një kandidat tjetër. Harris bëri gabimet e Hillary Klinton. Ajo bënte sikur ishte kandidatja e ndryshimit, por nuk dinte të artikulonte çfarë do të ndryshonte te Biden”, u shpreh Shtuni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos