"Nuk kam hyrë në politikë për të qenë një hu i gjatë", Rama: Dua të kthej përmbys çfarë të mundem nga karakatinat e së shkuarës

Nga A2 CNN
7 Maj 2024, 11:15 | Politikë

"Nuk kam hyrë në politikë për të qenë

Kryeministri Edi Rama, nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke iu referuar Reformës në Drejtësi, theksoi se ai ka hyrë në politikë “për të kthyer përmbys çfarë të mundem nga karakatinat e së shkuarës së largët dhe të afërt”.

“Sot, nuk është më si dikur. Sot, çdo njeri para ligjit është si një qytetar si gjithë të tjerët, siç e parashikon Kushtetuta. Para ligjit jemi të gjithë të barabartë. Ka disa që thonë se unë s’e paskam menduar këtë ditë, ka dhe që thonë se SPAK-u bën çfarë i them unë. Unë mund të mos jem shumë i zgjuar, por edhe kaq idiot sa të shkoja derë më derë në Berlin e Bruksel për të kërkuar aleanca për veting-un, e pastaj në Uashington për të kërkuar aleancë për FBI-në shqiptare, Byronë Kombëtare të Hetimit. Unë shkoja nga zyra në zyrë duke i thënë që “ne duhet të bëjmë tërmet”. Kush thotë që unë kontrolloj SPAK-un jo vetëm që nuk ka provë, por nuk ka se si ta pranojë dhe tolerojë që unë në politikë kam hyrë vetëm për të kthyer përmbys çfarë të mundem nga karakatinat e së shkuarës së largët dhe të afërt. Sa të mundem, në çdo sektor dhe drejtim, ku të mundem… Nuk kam hyrë për të qenë një hu i gjatë në radhën e atyre që bëhen ministra, kryetarë bashkie, kryetarë partie, duke mos lënë gjurmë”, u shpreh Edi Rama.

Rama foli edhe për “përgjegjësinë morale”.

“Në vendet me demokraci shumë të zhvilluara ndodh që titullarë të caktuar dorëhiqen edhe kur nuk kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Por, në demokracitë e konsoliduara ka një strukturë institucionale që i garanton proceset e brendshme të shtetit me mekanizma e filtra të shtresëzuar nga breza të tërë ligjvënësish dhe të ndërlidhur në një makineri shtetërore që i kryen mekanikisht vetë 90% të punës së shtetit. Belgjika ndenji më shumë se një vit pa qeveri dhe njerëzit atje thonin që shteti punoka edhe më mirë pa qeveri. Në demokracitë në zhvillim si Shqipëria këtë makineri po e ndërtojmë ne prej 10 vitesh, pasi trashëguam një karroceri me 3 rrota”, tha Rama.

“Ende sot ecuria e shtetbërjes varet nga roli i individëve në drejtimin e institucioneve dhe ju e dini shumë mirë sa ndryshon rezultati i institucionit në varësi të drejtuesit. E pikërisht nga kjo peshë e individëve ekziston rreziku shumë i madh i futjes në një spirale destruktive në emër të marrjes gjoja të përgjegjësisë morale për vartës që vendosen nën akuzë nga drejtësia, gjithmonë nëse nuk është rasti i lidhjeve me ta. Aq më tepër që kjo gjasme përgjegjësi morale që predikohet nga njerëz të izoluar në ballkone për korrupsion”, shtoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos