Pedagogu Ermal Hasimja thotë se do të mendohet para se të japë një përgjigje, nëse do t’i vijë një propozim zyrtar për të qenë ai kandidat i opozitës për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Tiranës, që pritet të zhvillohen pas shkarkimit të Erion Veliajt, raporton A2 CNN.
Hasimja, si dhe dy emra të tjerë nga shoqëria civile, si Florian Haçkaj dhe Edlira Çepani, u përmendën gjatë të mërkurës si kandidatë të mundshëm, pas takimit të zhvilluar nga grupi negociator i Partisë Demokratike me disa parti të tjera të vogla opozitare.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hasimja thotë se ndihet i vlerësuar që emri i tij është propozuar në listën e kandidatëve potencialë. “Falënderoj ata që e kanë propozuar apo mbështetur idenë. Kur të marr (nëse marr) një propozim zyrtar do të mund të mendohem dhe të marr një vendim. Më vjen mirë gjithashtu që dy emrat e tjerë në listë, Florian Hackaj dhe Edlira Cepani janë njerëz qe i vlerësoj maksimalisht dhe që do te ishin kandidatë të shkëlqyer për opozitën”, shkruan ai. (A2 Televizion)