Olsi Dado dhe Erion Bani "e furnizojnë" me dosjet e SPAK? Ja si përgjigjet Sali Berisha

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2025, 22:30 | Politikë

Sali Berisha rrëzoi në emisionin “Debat” në A2 CNN, të gjitha akuzat e hedhura në drejtim të tij për lidhje me prokurorin Ols Dado që ka në dorë hetimet për Erion Veliajn dhe gjyqtarin Erion Bani, që e la pas hekurave kryebashkiakun e Tiranës.

I pyetur nga moderatorja Alba Alishani nëse janë këta njerëz të drejtësisë, të cilëve Rama u referohet si kamikazë, që i dorëzojnë dosjet e krimit dhe përgjimet e Sky ECC dhe EncroChat, Berisha e mohoi kategorikisht.

Madje Berisha tha se ai ka hedhur një akuzë në drejtim të Dados, kur deklaronte se kishte lidhje me të fortin e Shijakut, Altin Hajri, por për të cilën kërkoi ndjesë më vonë.

“Absolutisht kurrë, as njëri as tjetri. Unë e kam dëgjuar emrin e Olsi Dados, që u bë prominent, u bë kur unë e akuzova atë pa të drejtë se e lavdëronte Altin Hajri. Doli prokuroria menjëherë tha nuk është ky Olsi, është tjetër. Por secili ishte Olsi nuk e tregoi Altin Dumani. Kaq di unë për të. Po kështu Bano. E kam dëgjuar për herë të parë emrin e Banit, kur kthehu me guxim dosjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Kur tha të hetohet. Edhe ajo mu duke akt i guximshëm i tij. Akt i guximshëm. Nuk janë këta dy”, u shpreh Berisha në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN.

Kryedemokrati u ndal edhe te tërheqja e gjyqtares së Apelit të Posaçëm, Ilirjana Olldashi nga çështja “Veliaj”, duke thënë se ajo është kërcënuar.

“Çfarë ndodhi me këtë Ilirjana Olldashin? E futën në depresion, dha dorëheqjen, në një akt tmerri. Dhe thotë nuk jam mirë. Tha jam sëmurë mo. Dolën me dhjetëra deklarata se po e kërcënojnë nga të gjitha anët atë, Ilirjana Olldashin, e cila është një zonjë absurde në veprimet e saj ndaj meje, por prapë se prapë nuk jam kurrë për ta kërcënuar”, deklaroi Berisha në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos